Monday, June 1, 2009

GJITHNJË

gjithnjë, gjithnjë do të të dua
ashtu siç di të dojë retina pakëz dritë
ashtu si udhëtari kërkon një strehëz
dhe buzën t'ia njomë një pikëz ujë nga burimi
ashtu si bisht' i syrit pikon margaritarë
dhe pak nga pak
si lulja e mbrëmjes mbyll petalet
të mbyllen ca plagë prej së lashti
kur shpatullat zbuluar m'i patën lënë
dhe endesha nëpër mjegull si një vegim
harruar nga ëndrrat e qënieve me shpirt...

gjithnjë, gjithnjë do të të mbaj
diku në një fjalë të thjeshtë e të lehtë
ashtu si një varg i simfonisë në pyll
a si një zë i këngës mistike
ku degët e një kulpre pushtojnë dashurinë tënde
dhe gjethet harbohen në ekstazë...

gjithnjë, gjithnjë do jem atje
në dhomëzën e gjoksit ku ulet e ngrihet
pesha e brengës dhe dëshirës
që me kujdes t’i hedh nga pak melhem
e t'i kujtoj një fjalë që shkon përtej fjalës
dhe bëhet legjenda
e dashurisë njerëzore...

gjithnjë, gjithnjë e kam një vend
edhe kur të mos jem...

Friday, May 22, 2009


EDHE NDODH


E di, të merr malli ndonjëherë për mua
Natën tek zhvokshet kujtesë e fjetur
Platitesh si ketër nën kthetra hutini
Platitesh pa zë, jashtë trupit mbetur.

E di, nën mbulesë të hesht mall’i parë
Natën tek zëri i largët të thërret
Platitet si zokth i vrarë ngashërimi
Platitet mbytur dhe shpirtin ta tret.

E di, mezi pret të vijë përsëri agimi
Krahët të rrahësh me shkulm si shtrëngatë
Të vish të çlodhesh tek folezë e vjetër
Të vish si shterg pas udhe të gjatë.

E di, të merr malli ndonjëherë për mua
Natën tek djeg thëngjilli që s’u shua...
NDAJFOLJET

Lozonjare të papesha
që pas çdo tangoje kërkojnë folezën
si bletëza këmbënektar kapur për krahësh
bëjnë rreth pa porta
solisti në mes je Ti.

Pa to do shembeshin jetët shpërbërë
në humusin e çastit tretur
koha si trung i zhveshur do përgjunjej
hapësira do rrudhej pa muzgun
e pa Afërditën agimi s’do shkëlqente si Agim.

Gurët do gremiseshin e bashkë me ta boshësia
mendimi s’do kish enë, ku të qëndronte?!

Ndërsa ne të dy
do ndiznim qirinj imagjinarë përshpirtjesh
që s’mundëm të ekzistonim
diku, dikur
bashkë një çast
vetëm për vetëm...

TEMPULL DASHURIE



Vilmës, Besfortit

Do t’i përulem Dritës
Flladit të mëngjesit
Dhe perëndimit të zjarrtë

Do t’i përulem Blirit
Pemës ndanë udhës
Dhe lules në fushë

Do t’i përulem Ujit
Burimit prej malit
Dhe detit të paanë

Do t’i përulem Burrit
Atij që më bëri nënë
Dhe kurorës së bardhë

Do t’i përulem Orës
Që më dhuroi bijtë
Dhe më mësoi lumturinë

I bie në gjunjë Dashurisë
Asaj, më të madhes njerëzore...
PËRGJYSËM

Do ikësh
Por flokëve të mi do tu mungojë foleja
Ku bashkë me dëshirat
U strukën netë psherëtimash
Dhe këngë të hershme.

Do ikësh
Por ishujve të trupit tim do tu mungojë dora
Që zbuti ulkonjën e pyllit
Dhe majat e kodrave të bardha ledhatoi
Nga ku u derdh ofshama.

Do ikësh
E bashkë me ty
Kuptimi do mbetet në udhë
Ndarë përgjysëm...


VUAJTJE E PJESËTUAR

Gropë thithëse malli për ty
Lëviz e më shumë zhytem
E zhytem e mbytem në të.

Pushtet mishtor mbështjellja prej krahëve të tu
Si vuajtja më e madhe që sjell përdëllimin
Kafshojmë epshin, mjekojmë çmendurinë
Preja dhe gjahtari i vetvetes jemi.

Bashkimet janë vuajtje e veç vuajtjet ndahen
Lumturitë kurrë.

Kur të vish
Mos harro të marrësh çastet e tua të vuajtjes.


ANKTHI I PRITJES

Tendoset çasti mes orësh të gjata
Mes ditëve pa ty hyn një korb,
Limanet përgjumen pa ardhur nata
Me gurët, dhe zhurmat futen në morg.

Përfyten damarëve zërat e plagët
Beteja e gjumit gjakos syrin tim,
Liqenj dëshpërimi shuajnë vlagët
Hapsira tulatet pa shpresë në kërkim.

Tendoset shkëmbimi i valës në breg
Ditët pa ty nuk kanë cak e kufi
Ka ngrirë gjithçka po akulli djeg
Ka ngrirë e pret të dukesh ti.


E PAMUNDUR


Ika nga ty
Vrapova
Dhe bëra një dush të laja mëkatin
Ndërgjegja shkëlqeu
Nën kostumin e pastër...


Nga shpirti s’të laj dot…


KËSHTU DO KISHTE NGJARË

Rekuiem

E ndjera gjyshja ime, e bardha Hatixhe
Do zbriste që nga lart butë butë si bora
Do shtynte mengadalë derën mos na zgjonte
Me një ibrik që kurrë s’iu nda nga dora.

Si pupël lehtë do hynte në sallon
Do zbrazte ujë mbi lulet një nga një
Një asparagusi do t’i thosh ca fjalë
Si pëshpërimë, a ndoshta dhe me zë.

E kur të ndjente hapin tim nëpër shtëpi
Do vinte të më hidhte krahëve një fanellë
Do më tregonte për një gjeth të porsaçelur
Për një zambak që ditë më parë kish mbjellë.

Ç’i do kaq shumë lule noni1 , do t’i thosha
Një vazo mbaj a dy mjaftojnë në sallon
Ajo do më shikonte e habitur si fëmijë
Që dic të thotë medoemos kërkon.

Çdo lule është një shpirt edhe një fjalë
Ne pleqve s’ka njeri të na dëgjojë
Lules i flas e fletët fërfërin me këngë
Më sheh të qaj, e nis me gjethe të vajtojë.

E ndjera gjyshja ime e dhimbsur, Hatixhe
Do zbriste butë butë që nga lart si bora
Do shtynte mengadalë derën mos na zgjonte
Me një ibrik që kurrë s’iu nda nga dora...


ËNDRRA

Mbrëmë të pashë në ëndër
Isha bërë e vogël
Sa një dritëz syri
Ti qaje
(kurrë s’kishe qarë)
Me dhimbjen e një burri.

Desha të bëhesha e madhe në çast
Lotët të t’i lëpija
Pastaj të qëndroja gjatë
Në atë dritëz syri të të shihja
Ti më kërkoje
Të humbur më dije, doje të më gjeje
Por unë isha e vockël
E vockël si në një ëndërr
Dritëz syri brenda teje...


PARANDJENJË

Ne duhemi pa qënë tok

Një rreze dielli mes nesh ka depërtuar
Më ka buzëqeshur
Unë
Jam kthyer në një pikëz shiu-lot
Tepër e pikëlluar.
Ku të të gjej
Si të të afroj
Shëmbëllimi im
Në ç’re je futur?!
Unë, pikëza e shiut qaj
E di se po të gjeta
Do të duhemi shumë
Pastaj...

Ku të më gjesh
Mua, kopjen tënde
Nga ç’re jam këputur?!
Unë
Pikëza e shiut qaj
E di se po më gjete
Do të ndahemi
Prandaj...

Ne duhemi pa qënë tok.